Close
Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 25
  1. #1
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192

    Rubrika “Shenjtorët e Javës”

    Rubrika “Shenjtorët e Javës”



    ( 30. 04. 06 )

    Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën III të Pashkëve; përkujtoi edhe Shën Piun V, papë dhe Shën Kuirinin martir .
    Nesër e hënë, do të përkujtohen Shën Jozefi punëtor dhe Shën Jeremia profet. Festa, kushtuar punëtorëve, na fton t’i lutemi Zotit ta bekojë veprën e duarve tona.
    Të martën e ardhshme do të përkujtohet Shën Atanasi, ipeshkëv i Aleksandrisë e doktor i Kishës. Na kujton se për të besuar, duhet t’i hapim zemrat për dhuratën e Zotit. Hyji ditë për ditë na dhuron praninë e Krishtit në fe e në Eukaristi. E Jezusi është buka e vërtetë, që e ushqen jetën tonë për amshim. T’ia kushtojmë Atij krejt vetveten.
    Të mërkurën e ardhshme Kisha do të kremtojë festën e Shën Filipit e Shën Jakut të vogël, Apostuj si dhe të Shenjtorëve Eveci, Aleksandri e Teoduli, martirë, të cilët na kujtojnë se Jezusi erdhi në botë për të bërë që ne ta njohim fytyrën e Atit: është Krishti Rruga që duhet përshkruar për të mbërritur tek Ati qiellor; Jeta e Hyjit që na komunikohet, e Vërteta që na tregon kuptimin e jetës sonë tokësore.
    Të enjten do të përkujtohen Shën Floriani dhe Shën Antonina martire, festa e të cilëve na kujton se të krishterët duhet të impenjohen për shëlbimin e mbarë popujve, sepse të gjithë janë të thirrur për të besuar në Jezu Krishtin.
    Të premten e ardhshme do të përkujtohen Shën Angjelini dhe i Lumi Nunci Sulpricio i Napolit, që na kujtojnë se të hash korpin e Krishti e të pish gjakun e Tij, do të thotë të bëhesh një gjë e vetme me Të. Të mendosh si Ai. Të zgjedhësh si ai. Të duash si Ai.
    Të shtunën do të kremtohen Shën Mariani e Shën Jaku, martirë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se të jesh si krishterë do të thotë ta ndjekësh Jezusin, ta pranosh fjalën e Tij, fjalë e jetës së amshuar dhe ta lesh veten të përtrihesh ditë për ditë nga Shpirti i dashurisë që të çon drejt Atit.
    Ndryshuar për herë të fundit nga NoName : 29-04-2006 më 17:04

  2. #2
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    “Shenjtorët e Javës 7-13 Prill 2006”








    Sot (07.04.'06) Kisha Katolike kremtoi të Dielën IV të Pashkëve; përkujtoi edhe Shën Flavia Domitilën, martire romake dhe të Lumen Roza Venerini, Virgjër, themeluese e Mësueseve të përshpirtshme Venerini,
    Nesër e hënë, do të përkujtohen Shën Viktori, martir i Milanos; Shën Bonifaci IV papë; Shën Benedikti II, papë dhe Shën Arseni, diakon romak që na përcjellin mesazhin: “Shpirti im ka etje, për ty, o Zot”, duke na kujtuar se Jezusi, Bariu i mirë, ecën para nesh e na prin drejt jetës së amshuar. Ne i besojmë, sepse e dimë që na do!
    Të martën e ardhshme do të përkujtohen Shën Pakomi, abat e Shën Izaia profet. Jeta e tyre tingëllon si ftesë drejtuar mbarë njerëzimit “Ju popuj të tërë, lavdërojeni Zotin, ndiqeni pas Jezusin, Bariun e mirë. Ai është i vetmi që ju mbron, sepse i përkisni!”.
    Jeta e Shën Antoninit, e Shën Jordanit martir, e Shenjtorëve Kuarti e Kuinti, martirë dhe Shën Jobit, që Kisha do t’i kremtojë të mërkurën e ardhshme, na kujton se Jezusi erdhi për të shpëtuar botën: kush i beson, hyn në dritën e vetë Zotit Atë.
    Të enjten do të përkujtohen Shenjtorët Gualtieri e Antimi, martirë, që dhanë për Jezusin dëshminë e gjakut, sepse ishin bërë një gjë e vetme me Të.
    Të premten e ardhshme do të përkujtohen Shenjtorët Nereu e Akileu, martirë dhe Shën Pankraci, martir, që na kujtojnë se shpresa e krishterë i kapërcen kufijtë e vdekjes.
    Të shtunën do të kremtohet Zoja e Bekuar e Fatimës dhe Shën Maria Domenika Mazarelo. Na ftojnë të përpiqemi për t’u bërë një gjë e vetme me Jezusin e me Atin Qiellor. Kështu jeta tokësore shndërrohet e njeriu kryen vepra dashurie, që burojnë nga Zoti.

  3. #3
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    Shenjtorët e Javës 14-20 Maj 2006


    Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën V të Pashkëve; përkujtoi edhe Shën Matinë Apostull e Shën Mikelin, themelues i Priftërinjve të Zemrës së Krishtit.

    Ta duash Zotin do të thotë të bësh vullnetin e tij çdo çast. Këtë na kujtojnë Shën Sofia, Shën Torkuati ipeshkëv i Godiksit dhe Shën Isidori bujk, festa e të cilëve do të kremtohet nesër.

    Të martën e ardhshme do të përkujtohen Shën Aleksandri, ipeshkëv i Jeruzalemit, martir dhe Shën Ubaldi, ipeshkëv i Gubios. Në liturgjinë e festës së tyre Jezusi na përsërit se dëshiron të mbretërojë në zemrat tona, duke na larguar nga shpirti çdo trazim.

    Shën Pashkual Bajloni, laik françeskan, Pajtor i Shoqatave eukaristike, që Kisha do ta kremtojë të mërkurën e ardhshme, na fton të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit e të kujtojmë se i krishteri është i thirrur të sjellë fryte pendese e shenjtërie, gjithnjë i mbështetur në hirin e Zotit.

    “Zoti do atë që dhuron me gëzim” është mësimi që na japin Shën Gjoni I papë e martir e Shën Feliçi, rregulltar kapuçin, që do të përkujtohen të enjten e ardhshme.

    Të premten, pastaj, do të përkujtohen Shën Pjetër Çelestini V papë, Shën Urbani papë, Shenjtorët Parteni e Kallogjeri martirë, Shën Ivoja meshtar e Shën Krispini nga Viterbo, rregulltar kapuçin, që na kujtojnë se kulmi i dashurisë është t’ua dhurosh të tjerëve gjithë vetveten.

    Të shtunën do të kremtohet Shën Bernardini nga Siena, meshtar françeskan, që na kujton se krishterimi nuk është i lehtë, por i lum. Të krishterët e vërtetë do të urrehen ose do të kundërshtohen gjithnjë. E ka parafolur vetë Jezusi, që është e Vërteta, por kush do të vijojë të ecë në rrugën e Tij, do të shëlbohet.

  4. #4
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    Shenjtorët e Javës 20 - 27 Maj '06




    Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën VI të Pashkëve e përkujtoi Shën Kristoforin Magalanes, meshtar dhe shokët e tij martirë në Meksikë dhe Shën Eugjenin Mazenod, ipeshkëv i Marsejës, themelues i Oblatëve të Zojës së Papërlyer.

    Shën Rita nga Kashia, rregulltare agostiniane dhe Shën Julia, virgjër e martire festa e të cilave do të kremtohet nesër, na kujtojnë se i krishteri është i thirrur të jetë dëshmitar i dashurisë së Krishtit. Për t’i qëndruar besnik kësaj thirrjeje, duhet të kërkojë dritë e forcë nga Shpirti Shenjt, që është dashuria e Birit dhe e Atit.

    Të martën e ardhshme do të përkujtohet Shën Gjon Batist de Rosi, meshtar romak. Liturgjia e festës së Shenjtit na kujton se Jezusi është gjithmonë me ne: na e ka premtuar ai vetë. Edhe pse nuk e shohim, Shpirti i Tij Shenjt e gjallëron fenë tonë, na forcon, na ndriçon e na ngushëllon.

    Zoja Ndihmëtare, që Kisha do ta kremtojë të mërkurën e ardhshme, na kujton se Shpirti Shenjt, Shpirt i vërtetësisë dhe i dashurisë, i prin Kishës në rrugën drejt Krishtit e Atit të tij qiellor.

    Të enjten e ardhshme Kisha katolike do të kremtojë një nga solemnitetet e mëdha të Krishtit: të Shëlbuemit, që rrezaton mbi gjithë universin dritën e Zotit të ngjitur në qiell e na kujton se shëlbimi u përket të gjithë popujve.

    Të premten, pastaj, do të përkujtohen Shën Filip Neri, themelues i Kongregatës së Priftërinjve të Oratorit; Shën Eleuteri papë e Shën Simetri, martir, që na kujtojnë këngën e Psalmistit: “Vetëm në Zotin pushon shpirti im”. E Jezusi na siguron: “Lum ata që vuajnë, sepse do të ngushëllohen”.

    Të shtunën do të kremtohet Shën Augustini, kryeipeshkëv i Kanterbërit. Duke na kujtuar se Ati na do e na krijon mundësinë të nxjerrim prej tij hiret që i kërkojmë në emër të Krishtit, na fton të bashkojmë zërin në himnin e lavdit që ia këndojnë Zotit mbarë popujt e tokës.

  5. #5
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    Shenjtorët e Javës 04 - 10 Qershor '06




    E Diel, 4 qershor, Kisha ka kremtuar solemnitetin e festës së Rrëshajëve. Sot pra është festa e ditëlindjes së Kishës, sepse kremtimi i Rrëshajëve, festimi i Zbritjes së Shpirtit Shenjtë Zot mbi Apostujt në Cenakull së bashku me Marinë, shënon plotësimin e premtimeve të Krishtit: dërgimin e Shpirtit Shenjtë për t’i ndihmuar dishepujt e vet në lodhjen, frikën e tyre. U tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shentjë. Ai do të ju japë forcë, guxim dhe entuziazëm”! Në Zemër të Krishtit është burimi i asaj dashurie që Shpirti Shentjë e derdhi në zemra tona duke na bërë të aftë ta duam Atin sikur e deshti Krishti e duke na nxitur ti duam vëllezërit e çdo njeri, sikur Ai na ka dashur ne.


    E hënë, më 5 qershor, kalendari liturgjik i Kishës përkujton Shën Bonifacin, ipeshkëv e martir.
    Zoti na i dhuron të mirat e çmueshme që i ka premtuar, në mënyrë që të marrim pjesë në natyrën e tij hyjnore, pohon leximi biblik i liturgjisë së ditës. ( 1Pt 1,1-7). Jezusi prej nesh kërkon të zgjohemi e të punojmë seriozisht për ndërtimin e Mbretërisë së Zotit në jetën e përditishme përmes veprave të mira, të drejta e plotë dashuri ndaj çdo njeriu që takojmë në jetë.


    Të martën e ardhshme, më 6 qershor, kalendari liturgjik i Kishës do të përkujtojë Shën Norbertin, ipeshkëv të Magdeburgut, themelues i Kanonikëve të Rregullt Premostratenës; Shën Klaudion, abat e ipeshkëv, Shën Paolinen e tjerë.
    “Presim qiellin e ri e tokën e re” – pohon leximi biblik e kësaj dite (2Pt 3,12-15.17). Zoti i shndritë ditët tona me shpresë. Sipas pjesës ungjillore të kësaj dite marrë nga shën Marku (Mk 12,13-17) Jezusi na tregon udhën e vërtetë edhe në çështjet ekonomike e fiskale duke na porositur që t’i . “Japim Cezarit atë çka i përket Cezarit, por ti japim Zotit atë çka i përket Zotit”. Zotit i përket zemra e shpirti ynë.


    Të mërkurën e ardhshme më 7 qershor, kalendari liturgjik i Kishës përkujton Shën Antonin Gjanelli, ipeshkëv i Bobbios, themeluesin e Bijave të Marisë.
    “Zoti nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë”, pohon leximi biblik i kësaj dite marrë nga Letra e dytë e shën Palit drejtuar Timoteut ( 2Tm1,1-3.6-12). Ndërsa pjesa ungjillore nga shën Marku (Mk 12,18-27) duke treguar për ndërrimin e grupeve fetare, që njëri pas tjetërit e rrethonin Jezusin duke e provokuar me pyetje të llojllojshme, kësaj herët ndalet tek grupi fetar i Saducejve të cilët e mohonin ngjalljen e të vdekurve. Në vazhdën e Shkrimeve të Shenjta e të Atit, Jezusi duke ju përgjigjur Saducejve, na paraqet “Zotin e të gjallëve”. Vetëm duke u mbështetur në Krishtit Shëlbues, mund t’i mposhtim të këqijat që kërcojnë jetën e njerëzve.

    Të enjten e ardhshme, më 8 qershor, kalendari liturgjik i Kishës, përkujton Shën Medardin, ipeshkëv.
    “E vërtetë është kjo fjalë: ‘Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë’ – pohon leximi biblik i kësaj dite marrë nga letra e dytë e shën Palit drejtuar Timoteut (2Tm2,8-15). Ndërsa pjesa ungjillore marrë gjithnjë nga Shën Marku (Mk 12,28-34) na tregon se nuk është largë mbretërisë së Zotit, skribi i cili duke bashkëbiseduar me Jezusin, paraqet rregulloren e artë të jetës së re, që vlenë kurdoherë e për këdo: ‘të duash krejtësisht e në mënyrë integrale Zotin e Vetëm dhe të afërmin prosi veten. “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde! Dhe “ duaje të afërmin tënd porsi veten” .


    Të premtën e ardhshme, më 9 qershor, kalendari liturgjik i Kishës përkujton Shën Efremin, diakon e doktor i Kishës; Shën Prenkën e Feliçanin, martirë.
    ‘Ligji ytë, o Zot, është burim paqeje’, pohon psalmi i kësaj dite (Ps 118). E nga ungjilli i Shën Markut ( 12,28b-34), na tregon se Jezusi personalisht nga tempulli, i përcakton dhe saktëson tiparet e figurës së Mesisë, birit të Davidit. Leximet biblike të liturgjisë së Fjalës të kësaj së dite, na ftojnë ti dëgjojmë e ti pranojmë mësimet e Atij, Jezu Krishtit që rrij në të djathtën e Atit. Vetëm Jezusi është mjeku që i shëron plagët e shpirtit tonë.


    Të shtunën e ardhshme, më 10 qershor, kalendari liturgjik i Kishës përkujton Shën Landerikun, ipeshkëv i Parisit.
    “Me jetën time do t’i këndojnë lavdet tua o Zot”, pohon psalmi i ditës (Ps 70), e shën Pali apostull në letrën e dytë drejtuar Timoneut e porosit nxënësin e tij dhe të gjithë ne, ta “kryejmë veprën tonë të shpalljes së ungjillit (2Tm 4,1-8). Shën Marku në pjesën e Ungjillit, (Mk 12,38-44) nxjerrë në dritë vlerën e bujarisë e të zemrës së mirë para syve të Zotit, përmes tregimit të shembullin të vejushës së varfër,e cila dhuron me gjithë zemër atë çka ka për të varfërit. Mos të harrojmë se bujaria, zemërgjërësia nuk matet me sasi por me mirësi.


    Të dielën e ardhshme, më 11 qershor, bie e diela e solemnitetit të Trinisë Shenjte e kalendari liturgjik i Kishës në këtë ditë përkujton edhe Shën Barnabën, apostull e shën Paolen Frassinetti, themeluesen e Motrave të Shën Dorotesë.

  6. #6
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    (18.6.2006)




    Sot, në të dielën XI të kohës gjatë vitit kishtar, në shumicën e vendeve të botës, Kisha katolike kremtoi solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit.

    Shenjtorët Marku e Marçelini, martirë romakë; Shën Romualdi abat, themelues i Kamaldolezëve; Shën Gjyliana Falconieri dhe Shenjtorët Gjervazi e Protazi, martirë, që do të përkujtohen nesër, na kujtojnë se Jezusi, duke e kapërcyer parimin e Besëlidhjes së Vjetër: ‘sy për sy e dhëmb për dhëmb’, na mëson parimin e ri të dashurisë, që e përjashton ushtrimin e dhunës.

    Të martën e ardhshme do të përkujtohet Shën Silveri, papë e martir. Liturgjia e festës së Shenjtit na kujton se besimi duhet të jetë përgjigje e lirë që i jep zemra njerëzore Zotit, pa pritur kurrfarë shpërblimi.

    Shën Luigj Gonzaga, jezuit, Pajtor i rinisë katolike, që Kisha do ta kremtojë të mërkurën e ardhshme, na kujton porosinë e Jezusit që të luftojmë çdo ditë kundër tundimit të hipokrizisë, duke e pasur të qartë se lutja, agjërimi e lëmosha kanë vlerë vetëm në se bëhen për Zotin e për të afërmin, e jo sa për sy e faqe.

    Të enjten është festa e Shën Paolinit, ipeshkëv i Nolës dhe e Shenjtorëve Gjon Fisher, ipeshkëv i Roçesterit dhe Tomas Mor, martirë anglezë. Në liturgjinë e festës së tyre kujtojmë se njeriu i drejtë i jep lumni Zotit si me jetën, ashtu edhe me vdekjen e vet.

    Të premten, pastaj, do të kremtohet solemniteti i Zemrës së Krishtit. Liturgjia e festës na fton të shuajmë etjen tonë shpirtërore në burimet e shëlbimit e të kumtojmë dashurinë që Zoti ka për secilin prej nesh, dashuri që gjen shprehjen e vet më të lartë në Zemrën e shporuar të Jezu Krishtit.

    Të shtunën –një tjetër festë e madhe: ajo e Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit, një nga shenjtorët më të njohur, që i përgatit rrugën Jezusit.

  7. #7
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    (25.6.2006 R.V.)

    Sot, e diela XII e kohës gjatë vitit kishtar, Kisha katolike përkujtoi Shën Gulielmin abat dhe Shën Galikanin, ipeshkëv i Embrunit.

    Nesër do të kremtojë festën e Shenjtorëve Gjoni e Pali, martirë, të Shën Virgjilit dhe të Shën Josemaria Escrivá de Balaguer, meshtar, themelues i Opus Dei. Përmes liturgjisë së kësaj feste Jezusi na kujton neve, që jemi gati të gjykojmë, se masa e gjykimit hyjnor do të jetë e njëjtë me atë që kemi përdorur në jetën tonë.

    Shën Çirili i Aleksandrisë, ipeshkëv e doktor i Kishës, që do të kremtohet të martën e ardhshme na kujton se duhet të bëjmë për të tjerët, pikërisht atë që dëshirojmë të bëjnë të tjerët për ne.

    Në festën e Shën Ireneut, ipeshkëv i Lionit e martir që Kisha do ta kremtojë të mërkurën e ardhshme, kujtojmë se kur gjykojmë të tjerët, nuk duhet të nisemi nga fjalët që thonë, as nga dukja, por nga mënyra e sjelljes së tyre.

    Të enjten është festa e Shën Pjetrit e Shën Palit, Pajtorë të Romës. Trupi i Shën Pjetrit pushon në paqe në bazilikën e Vatikanit; i Shën Palit, në bazilikën Ostiense.

    Të premten, pastaj, do të kremtohet Martirët e parë të Kishës Romake që na kujtojnë se të krishterët nga toka e mërgimit, lartojnë drejt qiellit këngën e pavdekësisë, që buron nga Eukaristia.

    Të shtunën do të kremtohen Shenjtorët Juli e Aroni, martirë të Britanisë së madhe dhe Shën Aroni, vëllai i Moisiut të Besëlidhjes së Vjetër, që na kujtojnë se Jezusi është gati edhe sot të na shërojë me fjalët e gjestet e liturgjisë së Fjalës e të liturgjisë eukaristike.

  8. #8
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    (2.7.2006)

    Sot është E Diela XIII e kohës gjatë vitit kishtar.

    Nesër, e hënë, Kisha katolike do të kremtojë festën e Shën Tomës Apostull dhe të Shën Leonit II papë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se kush beson në Zotin, do të shohë shëlbimin e Tij, ashtu si Shën Toma që besoi përmes dëshmisë së apostujve e, sidomos, përmes takimit personal me Jezusin.

    Shën Izabela e Portugalisë, që do të kremtohet të martën e ardhshme, na kujton se nganjëherë, kur jeta na bën të vuajmë tepër, na duket se Zoti fle, se nuk i dëgjon lutjet tona, nuk e shikon mjerimin tonë; por në të vërtetë, po të besojmë në të, askush nuk do të mund të na mposhtë, sepse Zoti është më i fortë se çdo e keqe, më i fuqishëm edhe se vdekja. Feja të shpëton!

    Në festën Shëna Ndout Maria Zakarisë, themelues i Barnabitëve dhe i Motrave Engjëllore të Shën Palit, që Kisha do ta kremtojë të mërkurën e ardhshme, kujtojmë se bijtë dhe bijat e Shenjtit kanë arritur qëkur në trevat shqiptare, ku kryejnë misionin e tyre në shërbim të edukimit fetar e kulturor të rinisë shqiptare.

    Të enjten e ardhshme është festa e Shën Maria Goretit dhe Shën Maria Tereza Ledohovskas, themeluese e Motrave Misionare të Shën Pjetrit Klaver. Na kujtojnë se Zoti me një fjalë të vetme krijoi botën e me një fjalë të vetme na çliron nga çdo e keqe fizike a morale. Jezusi është fjala që bëhet jetë për çdo njeri. T’ia besojmë Atij vetveten, në se duam të shëlbohemi!

    Të premten, pastaj, do të kremtohet një shenjt i trevave shqiptare: Shën Asti, ipeshkëv i Durrësit, që na kujton se shenjtëria u përket të gjithë kombeve e popujve e se populli shqiptar ka ndërmjetësuesit e vet të lashtë e të rinj pranë fronit të Zotit. T’u lutemi atyre për fatet e Shqipërisë!

    Të shtunën do të kremtohen Shenjtorët Adriani, Eugjeni III papë, Akuila e Priska, nxënës të Shën Palit, të cilët predikuan pa u lodhur lajmin e mirë të Ungjillit, fjalën e Zotit, që është fjalë paqeje.

  9. #9
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    (9.7.06 )

    Sot, e Diela XIV e kohës gjatë vitit kishtar, Kisha katolike përkujtoi Shën Agostin Zhao Rong, meshtar dhe shokët e tij, martirë kinezë; Shën Adrianin III papë dhe Shën Veronikën Gjuliani, klarise kapuçine.

    Nesër, e hënë, do të kremtojë festën e Shenjtoreve Rufina, Sekonda, Anatolia e Vitoria, martire. Festa e tyre na kujton se Jezusi, ashtu si Ati i Tij qiellor, e do jetën e njerëzve, ndalon hemorragjinë që e bën njeriun të humbasë gjakun, simbol i jetës; kthen në jetë vogëlushen e vdekur. Tregon kështu besnikërinë e tij ndaj Atit, që është Zoti i jetës.

    Shën Benedikti Abat, Pajtor i Evropës, që do të kremtohet të martën e ardhshme, na kujton se është i bekuar ai që ecën në rrugët e Zotit me punë e me lutje, sipas shpirtit të Shenjtit. Mbetet, kështu, i bashkuar me Krishtin si shermendi me hardhinë. E të mbetesh në dashurinë e Krishtit do të thotë ta shenjtërosh gjithë jetën, sepse limfa jetike vjen pikërisht nga Krishti.

    Në festën e Shën Gjon Guadalbertit, abat, themelues i Valombrozanëve dhe Shenjtorëve Nabori e Feliçi, martirë milanezë, që Kisha do t’i kremtojë të mërkurën e ardhshme, kujtojmë se ndër njerëzit që i thërret Zoti e i dërgon të përhapin lajmin e mirë, jemi edhe ne. Çdo i krishterë dëgohet në botë për të dëshmuar dashurinë që na ka dhuruar Krishti. Për këtë jemi të sigurtë.

    Të enjten e ardhshme është festa e Shën Enrikut II perandor, Shën Ezdrës s’ribë (shkronjës) dhe Shën Silës, nxënës i apostujve. Na kujtojnë se dhurata e Ungjillit dhe feja në Krishtin na janë dhënë falas të gjithëve e falas edhe duhen pranuar. Njeriu bëhet nxënës i Krishtit lirisht e në mënyrë të vetëdijshme, duke pranuar edhe pasojat e rrugës që ka zgjedhur, rrugës së Kryqit!

    Të premten, pastaj, do të kremtohet Shën Kamili de Lelis, themelues i shërbëtorëve të të sëmurëve. Na kujton se ta jetosh e ta kumtosh Ungjillin, shpesh herë do të thotë t’i kundërvihesh kulturës në të cilën jeton. Na shtyn të mos pranojmë atë që duket se e pranojnë të gjithë e na kujton se, ndryshe nga të tjerët, ne nuk i pranojmë kënaqësitë dhe pushtetin e kësaj bote, në të cilën jemi shtegtarë që ecin drejt një bote më të mirë.

    Të shtunën do të kremtohet Shën Bonaventura, kardinal, ipeshkëv i Albanos e doktor i Kishës, françeskan, që na kujton se të jesh i krishterë, do të thotë të jesh i sigurtë se Zoti kujdeset për ne në çdo çast të jetës. E kjo na jep zemër ta shpallim haptazi besimin tonë në Zotin, duke e pasur mirë parasysh se feja nuk është ndjenjë private, por dëshmi publike!

  10. #10
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    (16.7.2006)

    Nesër, e Diela XV e kohës gjatë vitit kishtar, Kisha katolike përkujtoi Zojën e Karmelit që në Shqipëri njihet si Zoja Karmë.
    Duke menduar për Zojën Karmë, na vjen në mend kryesisht kundrimi, aq i nevojshëm për njeriun e kohëve tona, që merret me shumë veprimtari, të cilat i shkaktojnë pastaj ankth e pasiguri. Njëkohësisht ne shikojmë tek Maria bukurinë e përkryer. Besimtari, në sa i lutet, i drejtohet me fjalën "Bukuria e Karmelit". Sipas Dostojevskit është pikërisht bukuria, ajo që do ta shpëtojë botën. Por bukuria e Zojës nuk është çfarëdo lloj bukurie: është bukuri shpëtimtare. Prandaj Virgjëra Mari na paraqitet si dritë e Kishës, që na tregon si duhet të jemi e si, për fat të keq, nuk jemi. Është ajo Kisha që dhuron plotësisht vetveten; është ajo vasha e Besëlidhjes së Re, që i thotë çdo ditë "po" Atit të gjithëpushtetshëm.
    Sot Kisha përkujtoi edhe Shën Marinë Madalenë Postel, virgjër, themeluese e Motrave të Shkollave të Krishtera të Mëshirës.

    Ndërsa pasnesër, e hënë, do të kremtojë festën e Shën Marçelinës virgjër, motra e Shën Ambrozit ipeshkëv, Shën Aleksit e Shën Leonit papë, të cilët duke ecur pa asnjë lëkundje në rrugën e Ungjillit, e flijuan gjithë jetën për lumni të Zotit.

    Shën Emiliani, Shën Federiku e Shën Bruno, që do të kremtohen të martën e ardhshme, na kujtojnë se Zoti është forca e popullit të vet.

    Në festën e Shën Makrinës dhe të Shën Simakut që Kisha do t’i kremtojë të mërkurën e ardhshme, kujtojmë se dashuria e Atit dhe Birit i zbulohet vetëm njeriut që bëhet i ‘vogël’ dhe ecën pas Krishtit në Udhën e Kryqit, me bindjen se Zoti nuk i lëshon kurrë dore besnikët e vet.

    Të enjten e ardhshme është festa e Shën Apolinerit, ipeshkëv i Ravenës e martir, e Shën Elisë profet dhe e Shën Aurelit, ipeshkëv i Kartagjenës. Leximet liturgjike të festës së tyre na kujtojnë se Krishti i fton të gjithë njerëzit e shtypur, të gjithë ata që janë të lodhur nga fjalët e nga premtimet boshe, të gjejnë në Të, që është zemër butë e i përvujtë, paqen e vërtetë të shpirtit, atë që bota nuk di e nuk do ta japë.

    Të premten, pastaj, do të kremtohet Shën Lorenci nga Brindizi, meshtar kapuçin, doktor i Kishës, Shën Praseda romake dhe Shën Ezekia, profet. Jeta e tyre na kujton se farizeizmi është një sëmundje tinëzare që e dëmton rëndë fenë e vërtetë: atij që ka uri, i jep rregulla, atij që ka etje, i jep fjalë të thata. Vetëm ai që e ka provuar mëshirën e Zotit di t’i lexojë e t’i kuptojë Shkrimet Shenjte e situatat e përditshme të jetës njerëzore.

    Të shtunën do të kremtohet Shën Maria Madalenë, nxënëse e Krishtit, që jetoi me moton: Shpirti im ka etje për ty, o Zot’. Si Nusja e ‘Këngës së Këngëve’, Maria kërkon, pa gjetur prehje, Atë që e do me gjithë zemër. Dënesa e saj pranë varrit të Jezusit, pas takimit me të Ngjallurin shndërrohet në britmën e gëzimit: “Kam parë Zotin!”.

Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •